Kuvendi zhvillon sot seancën plenare, ku në rend të ditës janë dy interpelanca.
Fillimisht, pritet të mbahet interpelancë urgjente e kërkuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, lidhur me masat për garantimin e integritetit dhe profesionalizmit të forcave të rendit.
Gjithashtu në seancë është parashikuar edhe një interpelancë e thirrur nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku me kryeministrin Edi Rama, lidhur me veprimtarinë e Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Në vijim është parashikuar edhe një seancë pyetje-përgjigje me ministrin Lamallari, e kërkuar nga deputetët Arian Ndoja dhe Erald Kapri.
Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë disa projektligje, mes të cilave projektligji për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, projektligji për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët në kuadër të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe projektligjin për aderimin në Traktatin e Najrobit për mbrojtjen e simbolit olimpik.
Po ashtu, në rendin e ditës janë përfshirë edhe projektligje për ndryshime në ligjin për parqet teknologjike dhe shkencore, si dhe në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Në rendin e ditës janë gjithashtu edhe disa projektvendime, përfshirë zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe të një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Në rendin e ditës janë edhe dy projektvendime në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare.
