9dfdf759 3848 4c5c 92f0 5f152c501fca

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu bëri me dije se ka depozituar në Kuvend kërkesën në emër të grupit parlamentar të PD për interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.

Në deklaratën e dhënë sot nga Kryesia e Kuvendit, Balliu tha se interpelanca kërkohet në bazë të shqetësimeve serioze për nivelin e inkriminimit dhe cenueshmërisë së Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar.

Balliu tha se “raportet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe infiltrimit kriminal”.

“Kur elementë kriminalë arrijnë të depërtojnë në strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin, kjo përbën jo vetëm një problem institucional, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për besueshmërinë e shtetit shqiptar ndaj partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë”, vijoi ai.

Deputeti Balliu nënvizoi në një demokraci funksionale, përgjegjësia për integritetin dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë është edhe përgjegjësi politike, ndaj sipas tij është e domosdoshme që qeveria dhe Ministria e Brendshme të japin shpjegime të qarta për mënyrën se si janë menaxhuar proceset e emërimeve, promovimeve dhe mekanizmat e kontrollit të integritetit brenda Policisë së Shtetit.

“Zhvillimet e fundit ngrenë pikëpyetje serioze edhe mbi efektivitetin e procesit të verifikimit të integritetit në polici, i cili u prezantua si një reformë e rëndësishme për pastrimin e radhëve të policisë nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Qartazi ky proces ka dështuar”, tha Balliu.

“Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, profesionale dhe të besueshme të zbatimit të ligjit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prioritet i përbashkët i shtetit shqiptar dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe kjo kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe standarde të larta integriteti”, pohoi Balliu.

Balliu nënvizoi se përmes kësaj interpelance kërkon që Ministri i Brendshëm të paraqitet përpara Kuvendit dhe të japë shpjegime të plota për këtë situatë shqetësuese. Inkriminimi i strukturave të policisë, sipas Balliut nuk është një fenomen që lind brenda një dite, por është rezultat i një procesi të gjatë degradimi institucional, i cili nuk mund të ndodhë pa dështim serioz të mekanizmave të kontrollit dhe pa përgjegjësi në nivelet më të larta të drejtimit.

“Ministri i Brendshëm duhet të shpjegojë pse, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga raportet ndërkombëtare dhe sinjaleve të shumta që kanë dalë në dritë gjatë viteve të fundit, nuk janë marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar këtë nivel infiltrimi të krimit në Policinë e Shtetit.

Publiku shqiptar ka të drejtë të dijë nëse kjo situatë është rezultat i neglizhencës dhe paaftësisë institucionale, apo nëse mungesa e veprimit dhe tolerimi i këtyre fenomeneve ka ardhur si rrjedhojë e një bashkëpunimi të ngushtë midis qeverisë dhe krimit të organizuar për përfitime të përbashkëta monetare dhe elektorale”, përfundoi Balliu.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights