1200 630 1774607529xprokuroria e tiranes

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona dhe pesë shoqëri tregtare, të akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë mashtrimin, pastrimin e produkteve të veprës penale, fshehjen e të ardhurave dhe mospagimin e taksave dhe tatimeve.

Sipas organit të akuzës, hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 2156 të vitit 2023 nisën pas kallëzimit të shtetases M.H., e cila pretendon se është mashtruar për një shumë prej 2,2 milionë eurosh.

Nga hetimet rezulton se shtetasi A.M. i ka kërkuar kësaj shtetaseje shumën në formë huaje, duke premtuar investimin e saj në projekte biznesi në fushën e teknologjisë dhe transmetimeve sportive, përmes disa shoqërive tregtare ku ai dhe bashkëpunëtorët e tij ushtronin aktivitet.

Sipas prokurorisë, fondet do të përdoreshin për realizimin e projekteve të lidhura me transmetime për evente sportive, përfshirë kampionatin italian, përmes aplikacioneve teknologjike. Megjithatë, pas marrjes së shumës, të pandehurit nuk kanë përmbushur detyrimet kontraktore për kthimin e saj.

“Rezulton se shtetasi A.M ka përdorur mashtrimin dhe shpërdorimin e besimit, duke përfituar nga marrëdhënia miqësore dhe pozita e tij si administrator në disa shoqëri tregtare, për të përvetësuar shumën në dëm të kallëzueses”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Hetimet kanë zbuluar se, pavarësisht kapaciteteve financiare të shoqërive të përfshira, nuk është kryer kthimi i huasë, ndërsa një sërë veprimesh financiare janë përdorur për të penguar gjurmimin e fondeve.

Sipas ekspertizës kontabël, janë evidentuar shkelje të rënda në raportimin financiar, përfshirë mosdeklarimin e të ardhurave reale dhe shmangien e detyrimeve tatimore. Në veçanti, është konstatuar rritje e pajustifikuar e detyrimeve në bilancet e një prej shoqërive, pa dokumentacion mbështetës.

Në lidhje me akuzën për pastrim parash, prokuroria thekson se janë kryer transferta të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të lidhura, përfshirë qarkullim të shumave të konsiderueshme në cash dhe pa regjistrim të rregullt financiar, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Nga analiza e provave, organi i akuzës vlerëson se të gjithë të pandehurit kanë vepruar në bashkëpunim dhe me dijeni të plotë për natyrën e kundërligjshme të veprimeve të kryera.

Në përfundim, Prokuroria e Tiranës bën me dije se ndaj gjashtë personave dhe pesë shoqërive janë ngritur akuzat përkatëse dhe çështja i është referuar gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria konstaton se të pandehurit kanë konsumuar veprat penale në vijim:

A.M. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale, Fshehja e të ardhurave dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

B.K. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale, Fshehja e të ardhurave dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

B. K. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale, Fshehja e të ardhurave dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

M.G. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe Fshehja e të ardhurave;

M.Z. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

S.G. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve.

Ndërkohë, shoqëritë tregtare të përfshira gjithashtu akuzohen për veprime të kundërligjshme:

“MAGOWARE” sh.p.k. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

“OVER SPORT” sh.p.k. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale, Fshehja e të ardhurave dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

“TIBO AL” sh.p.k. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale, Fshehja e të ardhurave dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

“TIBO Communications” sh.p.k. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve;

“TIBO” sh.p.k. – Mashtrim, Pastrimi i produkteve të veprës penale, Fshehja e të ardhurave dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights