Presidentja Vjosa Osmani u zotua se nuk do të harrohen asnjëherë krimet e kryera në Kosovë.
Në tubimin përkujtimor në kompleksin memorial në Krushë të Madhe, ajo ka kujtuar të gjithë të zhdukurit me dhunë, për çka tha se do të vazhdojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të tyre.
“Ata nuk i vranë në betejë por në shtëpitë e tyre. Ky ishte një krim me paramendim, ishte një akt i qëllimshëm për të shuar ekzistencën. Tragjedia nuk përfundon këtu edhe sot 64 banorë të Krushës së Madhe janë të pagjetur. Histori që presin akoma drejtësi. Në mesin e këtyre plagëve qëndron edhe fati i profesor Ukshin Hotit. Ai ishte një figurë politike dhe akademike që artikuloi lirinë. Një padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës”, tha ajo.
27 vjet më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
