Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot, 26 mars, në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, platforma e biznesit që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1 mijë pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.
Fillimisht foli ministrja e Ekonomisë dhe Invoacionit, Delina Ibrahimaj, duke deklaruar se investimet strategjike kanë prekur shifra rekord, është përmirësuar klima e biznesit, digjitalizimi është në nivel tjetër dhe ka një stabilitet të theksuar makro-ekonomik.
Evidentoi arritjet në sektorin e turizmit dhe zhvillimit urban.
“Kishim rreth 12 milionë turistë vitin e shkuar, shifra maksimale që arritëm. Kemi një sërë projektesh të mëdha në energji”, shtoi Ibrahimaj.
Në fjalën e tij, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se Shqipëria qëndron si një destinacion për investime të qëndrueshme dhe fitimprurëse.
“Kemi një bursë të energjisë terësisht funksionale”, theksoi ai, duke shtuar se është zhvilluar energjia e ripërtëritshme përmes ankandave transparente që kanë diversifikuar komunikimin në këtë fushë.
Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, u shpreh se turizmi është pika qendrore e transformimit të ekonomisë shqiptare.
“Sot Shqipëria pret rreth 12.5 milionë vizitorë në vit, kjo kërkon investime serioze, të planifikuara dhe në përputhje me objektivat tona afatgjata të zhvillimit. Me cilësi në punësim, duke tërhequr interesin e diasporës sonë që të kthehet”, tha ai.
