Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi bëri sot thirrje që mazhoranca të mos bllokojë projektligjin e prezantuar nga PL për uljen e çmimit të karburanteve me 60% nëpërmjet heqjes së taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit.
Në një deklaratë për medie, Blushi u shpreh se “Shqipëria përballet sot me çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme e tyre rrezikon ta zhysë vendin në një krizë ekonomike të plotë”.
“Kostoja në rritje të pandalshme e karburanteve po shoqërohet me kosto më të larta të të gjitha çmimeve dhe me ngadalësim të përgjithshëm të ekonomisë duke sjellë për pasojë thellimin e mëtejshëm të varfërisë”, shtoi ai.
Blushi solli në vëmendje se sot një litër naftë në Shqipëri kushton rreth 214 lekë, ku mbi 60% e çmimit përbëhet nga taksat që mbushin arkën e shtetit.
“Në vend që të ndërmarrë masa konkrete për lehtësimin e kësaj barre, duke ulur taksat apo duke ofruar mbështetje reale, Edi Rama vijon të injorojë situatën, ndryshe nga shumë vende të Bashkimit Europian dhe të rajonit që kanë ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur qytetarët e tyre”, u shpreh Blushi.
Sipas tij, “me gjithë kërkesat për kompensim të qytetarëve, fermerëve, shoqatave të transportit publik dhe biznesi, përgjigjja mbetet e njëjtë, asnjë ulje taksash, asnjë lehtësim konkret, vetëm justifikime pa zgjidhje”.
“Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga depozitimi në Kuvend i projektligjit të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të karburanteve, nëpërmjet heqjes së taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit dhe deri tani nuk ka asnjë reflektim nga mazhoranca”, tha Blushi.
Blushi kërkoi që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi të mos bllokojë më këtë nismë ligjore dhe ta përfshijë menjëherë me procedurë të përshpejtuar për miratim në seancën më të afërt plenare, për t’i dhënë qytetarëve një lehtësim të menjëhershëm dhe për të rikthyer frymëmarrjen e ekonomisë familjare dhe biznesit.
