Image 551 1024x512

Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rreth 214 lekë për litër (afërsisht 2.2 euro), duke e renditur vendin me çmimin më të lartë në rajon.

Në krahasim, në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi çmimi është rreth 1.6 euro për litër, ndërsa në Kosovë varion nga 1.7 deri në 1.8 euro për litër, duke qenë deri pak ditë më parë rreth 1.6 euro.

Mesatarisht, një përdorues automjeti në Shqipëri paguan 25-40% më shumë për karburantin sesa qytetarët e vendeve fqinje. Arsyeja kryesore lidhet me barrën e lartë fiskale. Në strukturën e çmimit në Shqipëri përfshihen disa taksa kryesore: taksa e qarkullimit prej 27 lekë/litër, akciza 39.4 lekë/litër dhe taksa e karbonit 3 lekë/litër. Mbi këto aplikohet TVSH 20%, e cila llogaritet mbi çmimin final duke përfshirë edhe taksat e tjera.

Në vendet e rajonit, barra fiskale është dukshëm më e ulët. Mali i Zi aplikon vetëm akcizë (së fundmi e ulur në 0.22 euro/litër) dhe TVSH 21%. Maqedonia e Veriut ka akcizë më të ulët dhe ka reduktuar TVSH-në nga 18% në 10% si masë e përkohshme. Kosova aplikon akcizë prej 0.37 euro/litër dhe TVSH 18%.

Si rezultat, në Shqipëri taksat arrijnë në rreth 1.16 euro për litër (53% e çmimit final), ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë rreth 0.58 euro (36%), në Mal të Zi 0.55 euro (35%) dhe në Kosovë 0.67 euro (38.5%). Në praktikë, kjo do të thotë se një konsumator shqiptar paguan pothuajse dyfish më shumë taksa për çdo litër naftë krahasuar me vendet fqinje.

Nëse përjashtohen taksat, çmimi bazë i naftës (blerja me shumicë plus kostot operative dhe marzhet) është i ngjashëm në të gjithë rajonin, rreth 1-1.1 euro për litër. Kjo tregon se diferenca kryesore në çmim krijohet nga politikat fiskale dhe jo nga kostoja reale e produktit.

Rritja e fundit e çmimeve është ndikuar nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, sidomos për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. Si reagim, disa vende kanë ndërhyrë për të mbrojtur konsumatorët. Mali i Zi ka ulur akcizën për Eurodiesel me 50% dhe për benzinën me 25%. Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në për karburantet në 10%. Kosova ka vendosur kufizime për marzhet e fitimit dhe po diskuton masa të tjera mbi akcizën dhe TVSH-në.

Në Shqipëri, qeveria ka njoftuar uljen e akcizës me 20%, por kjo masë ende nuk është reflektuar në treg. Një ulje e tillë do të sillte një kursim prej rreth 8–10 lekë për litër, por edhe në këtë rast çmimi pritet të mbetet mbi 200 lekë/litër për shkak të rritjes së fortë në bursat ndërkombëtare.

Që nga fillimi i krizës, çmimi i naftës në vend është rritur nga rreth 170-175 lekë/litër në 214 lekë/litër, pra me rreth 40–45 lekë më shumë. Ndërkohë, nëse çmimet ndërkombëtare vazhdojnë të rriten, kjo pritet të reflektohet sërish në tregun vendas.

Në përgjithësi, çmimet e karburanteve në Shqipëri rriten shpejt kur ka shtrenjtim në tregjet ndërkombëtare, por bien më ngadalë kur trendi është në ulje. Kjo lidhet me mënyrën e furnizimit dhe shpërndarjes në treg, ku çmimet në pakicë reflektojnë ndryshimet me një farë vonese, si dhe me strukturën e tregut dhe kostot operative të kompanive.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights