Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës është paraqitur sot në Prokurorisë së Posaçme ku ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK Klodian Braho.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit, Nika u shpreh se procesi po zvarritet dhe se nuk merren në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Ai ka shtuar se ende nuk është dërguar për ekspertim kaseta e dorëzuar në SPASK nga gazetari Artan Hoxha.
“Ne na duket se procesi po zvarritet. SPAK thotë po punojmë, këtu tha edhe kryeprokurori. Ne po presim, e kanë ata në dorë se si do të vijojë. Kemi hyrë në vitin e 16 që çështja është në sirtarët e drejtësisë.
Hetimi duhet të jetë më i shpejtë, duhet të thirren persona që kanë dijeni për ngjarjen, duke nisur nga punonjësit e Gardës dhe jo vetëm. Krimi është shumë I rëndë, ne do ta ndjekim deri në zbardhjen e çështjes.
Ish Sekretarin e Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe jo vetëm , nuk janë thirrur. Çështjen e lidhin shumë me parashkrimin.
Kaseta është për riekspertim. Më duket se ende nuk është dërguar për ekspertim. Isha unë që kërkova takim me zotin Braho sepse nuk na zë vendi”
