Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka ndarë njoftimin e Departamentit të Shtetit i cili këshillon amerikanët në mbarë botën të tregojnë kujdes të shtuar.
Në njoftim thuhet se pas nisjes së operacioneve luftarake të Shteteve të Bashkuara në Iran, amerikanët në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme duhet të ndjekin udhëzimet në njoftimet e fundit të sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e Shteteve të Bashkuara.
Ata mund të përjetojnë ndërprerje të udhëtimeve për shkak të mbylljeve periodike të hapësirës ajrore.
“Amerikanët në Lindjen e Mesme duhet të ndjekin udhëzimet më të fundit nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-së dhe të kontaktojnë Task Forcën tonë 24/7 për të marrë informacion dhe ndihmë me opsionet e udhëtimit për t’u kthyer në shtëpi të sigurt”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e publikuar edhe në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
