Ish-zëvendesdrejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Hava Delibashi mbërriti këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, së cilës i është drejtuar me kërkesën për masën e sigurisë.
Ajo mbahet prej më shumë se 3 muajsh në masën e “arrestit në shtëpi”, por tashmë pretendon se kjo masë duhet zbutur, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet, pasi është shtatzënë.
SPAK pretendon se brenda AKSHI-t vepronte një grup i strukturuar kriminal që drejtohej nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët urdhëronin rrëmbimin e rivalëve, sikurse ishte Gerond Mece dhe i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat. Dy biznesmenët janë në arrati, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHIT Mirlinda Karçanaj dhe Delibashi ndodhet në arrest shtëpie. Për 3 biznesmenë te tjerë dhe një zyrtar policie gjykata e posaçme ka caktuar masat e ndalimit për të dalë jashtë vendit apo pezullim nga ushtrimi i funksionit.
