Trump 4 696x464

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha dje në mbrëmje se forcat amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” të gjitha objektivat ushtarake në Ishullin Kharg, një terminal kyç eksporti i naftës në Gjirin Persik.

“Pak çaste më parë, me urdhrin tim, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës realizoi një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme dhe shkatërroi plotësisht çdo objektiv ushtarak në xhevahirin e kurorës së Iranit, Ishullin Kharg”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”, i cili u shpërnda edhe në llogarinë e Shtëpisë së Bardhë në X.

“Irani nuk ka asnjë aftësi për të mbrojtur atë që ne duam të sulmojmë dhe Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore dhe as aftësi për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lindjen e Mesme apo botën”, tha Trump.

Trump shtoi se “për arsye mirësjelljeje” kishte zgjedhur të mos shkatërronte infrastrukturën e naftës në ishull.

Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse Irani ose kushdo tjetër ndërhynte në kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, ai do ta rishqyrtojë menjëherë këtë vendim.

“Irani dhe planet e tij për të marrë nën kontroll të gjithë Lindjen e Mesme dhe për të shkatërruar plotësisht Izraelin … Tani janë të vdekura!”, tha Trump në një postim tjetër.

Më herët, Irani hodhi poshtë pretendimet e Trump për gjendjen e forcave detare dhe ajrore të vendit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretendojnë se marina iraniane është shkatërruar”, tha Mohammad Akbarzadeh, zëvendësi politik i forcave detare të të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike”, sipas agjencisë shtetërore IRNA.

“Atëherë lind pyetja: pse Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë e mbyllur dhe pse asnjë cisternë nuk mund të kalojë?”, thuhet në deklaratë.

Gati dy javë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit, udhëheqja në Teheran ka vazhduar të kundërpërgjigjet, duke rritur presionin mbi Uashingtonin, aleatët e tij dhe ekonominë globale.

Gardat Revolucionare kanë mbajtur një bllokadë pothuajse të plotë në Ngushticën e Hormuzit, një korridor i ngushtë mes Iranit dhe Omanit që është thelbësor për transportin global të naftës.

Ngushtica, rreth 55 kilometra e gjerë, është një nga rrugët më të rëndësishme për eksportet botërore të naftës.

Ishulli Kharg, rreth 25 kilometra larg bregdetit iranian dhe 480 kilometra në veriperëndim të Ngushticës së Hormuzit, është goditur disa herë gjatë Luftës Iran‑Irak.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights