Cover 7 1024x576

Ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi gjatë ceremonisë për marrjen e detyrës tha sot se “shërbimi ndaj atdheut është detyrë që s’vjen pa sakrifica, është privilegj që të bën krenar gjithmonë”.

Në fjalën e tij Nufi theksoi se do të punojë në krye të Mbrojtjes me të gjithë për të forcuar më tej kapacitetet e sigurisë së vendit.

“Në këtë institucion ndërtohen çdo ditë themelet e shtetit, siguria e kombit, garancia e sovranitetit të Shqipërisë. Personalisht për mua këtë moment e bën akoma më simbolik fakti që kjo ceremoni organizohet në garnizonin ‘Skënderbej’, i cili nuk është thjesht një hapësirë ushtarake apo administrative sot, por simbol i traditës disiplinës, formimit të elitës të ushtrisë shqiptare, ku për dekada janë përgatitur breza të tërë ushtarakësh që i kanë shërbyer me përkushtim vendit”, nënvizoi Nufi.

Nufi tha se “ky garnizon që mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbol i përhershëm i identitetit europian të shqiptarëve, por edhe i profesionalizmit, sakrificës shpirtit patriotik që ka karakterizuar gjithmonë ushtrinë shqiptare”.

Ministri Nufi i shprehu mirënjohjen kryeministrit Edi Rama për besimin që i ka dhënë për ti shërbyer vendit.

Gjithashtu Nufi shprehu respekt për ish-ministrin Pirro Vengu duke theksuar se “Vengu me kontributin e tij ndaj FA ka vendosur një qasje europiane, e cila në sytë e mi është dukur çdo ditë sa herë kam marrë në këtë ministri funksione apo detyra të tjera”.

“Vengu kthehet deputet në qarkun e Vlorës, qarkun flamurtar ku patriotizmi është fjalë dhe jam i bindur që me ndihmën e tij do të shtyjmë para shumë projektligje në të mirë të FA-së”, tha Nufi.

Sipas tij, siguria e një vendi nuk ndërtohet vetëm me strategji, por ajo ndërtohet çdo ditë nga njerëzit që punojnë, nga burrat e gratë që veshin uniformën, komandantët dhe drejtuesit që marrin vendime të vështira, nga instutucione që qëndrojnë fort edhe në kohë pasigurie.

“Sot dua të shpreh respektin tim më të thellë për çdo pjesëtar të Forcave të Armatosura të republikës së Shqipërisë dhe stafet administrative pjesë të Ministrisë Mbrojtjes, emergjencave civile apo çdo lloj organi varësie që kjo ministri ka. Ju mbroni territorin e vendit tonë, garantoni sigurinë e qytetarëve tanë, përfaqësoni Shqipërinë me profesionalizëm dhe me dinjitet në misionet ndërkombëtare”, tha Nufi.

Ministri Nufi vuri në dukje se “ushtarakët shqiptarë kanë shërbyer me nder në operacionet e NATO-s dhe aleatët tanë kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre duke i dekoruar, duke u njohur kontributet në të cilët kemi edhe dëshmorë.  Shqipëria e ka treguar që nuk është vetëm kontribuese e sigurisë kolektive, por ajo është një kontribuese krenare”.

“Në familjen time ka pasur burra e gra që kanë shërbyer në forcat e këtij vendi, që kanë sakrifikuar jetën e familjen”,  tha Nufi .

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights