Partia Demokratike mblodhi sot, 4 mars, grupin parlamentar, një ditë para seancës plenare që do të zhvillohet në Kuvend.
Kryetari Sali Berisha paralajmëroi se më 12 mars do të zhvillohet protesta e radhës e Partisë Demokratike. Ai ftoi qytetarët t’i bashkohen asaj që ai e konsideron si “kryengritja e radhës”.
“Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katërt anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve”, tha Berisha.
Kryedemokrati tha gjatë fjalës së tij, se kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkelë çdo ligj dhe normë për të mbrojtur veten e tij.
Ai akuzoi kreun e qeverisë se po devijon procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Këtu u ndal te letra e përbashkët mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që Berisha e ka lexuar si largim nga rruga drejt BE-së.
“Tani propozon, nuk na duhet Europa, por Ballkani i Hapur. Dhe meqenëse Ballkani i Hapur ishte tregti e hapur me Serbinë pa asnjë lloj kriteri, tani na jepi edhe ju tregtinë ne. Është formale kjo, se nuk mund t’i japë kurrë se Ballkani i hapur nënkupton i hapur me Serbinë, e cila ka traktate me ish-republikat sovjetike. Ndaj dhe prodhimet në Shqipëri, të gjitha bien për shkak të importeve që bën Serbia nga republikat ish-sovjetike. Akt tjetër i tradhtisë kombëtare është ky, akti më i lartë pas tradhtisë që i ka bërë Kosovës është ky. Sepse është investuar 33 vite në procesin e integrimit në BE dhe nuk ka qenë kjo një përpjekje e gabuar. Jo, kjo ka qenë përpjekja më fisnike, investimi më i drejtë që kanë bërë shqiptarët”, tha Berisha.
