Në Pakistan, numri i të vrarëve nga protestat e dhunshme të fundjavës kundër vrasjes së udhëheqësit suprem iranian ka arritur të paktën në 25 persona.
Demonstratat shpërthyen në disa qytete të mëdha, përfshirë metropolin jugor të Karachi, ku protestuesit tentuan të hynin me forcë në ambientet diplomatike amerikane.
Sipas raportimeve, përleshjet mes protestuesve dhe policisë shkaktuan të paktën 10 viktima dhe mbi 70 të plagosur në Karachi, ndërsa në rajonin verior të Gilgit-Baltistan u regjistruan 13 të vrarë në përballje me forcat e rendit. Autoritetet vendosën shtetrrethim natën në disa zona dhe dislokuan ushtrinë për të kontrolluar situatën.
Në kryeqytetin Islamabad, mijëra persona u mblodhën në protesta, shumë prej tyre duke mbajtur fotografi të liderit të ndjerë iranian. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat pranë zonës diplomatike ku ndodhet ambasada amerikane.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, e cilësoi vrasjen e liderit iranian si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shprehu solidaritet me popullin iranian në “momentin e tyre të dhimbjes”.
Protestuesit në disa qytete dënuan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa ambasadat amerikane dhe britanike u bënë thirrje qytetarëve të tyre të tregohen të kujdesshëm në Pakistan.
