Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë protestës së sotme e cila u zhvillua në formë marshimi, theksoi se kjo është një revolt popullore.
Sipas Berishës, “kryengritja paqësore e opozitës sot ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj”.
Kreu i PD-së tha se objektiv i revoltës popullore është kryeministri Edi Rama.
“Do të jetë Edi Rama dhe vetëm Edi Rama kazus i betejës tonë gjer në largimin e tij. Është Edi Rama gjeneratori i të gjitha të këqijave të lidhura me regjimin e tij”, tha ai.
Berisha shtoi se ndryshimi i ministrave në qeveri përbën vetëm përpjekje të dëshpëruara Kryeministrit për të ruajtur lëkurën e tij.
“Asgjë nuk e mbron atë nga revolta popullore”, tha Berisha.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, sot tubimi i opozitës u zhvillua në formë marshimi, i cili nisi nga Kryeministria drejt drejtorisë së Policisë së Shtetit në bulevardin “Bajram Curraj”.
Gjatë marshimit protestuesit kanë hedhur koktej molotov dhe kanë djegur koshat e mbeturinave.
