Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vendosur sot të zbatojë përkohësisht marrëveshjen tregtare me “Mercosur”, pavarësisht kundërshtimit të Parlamentit të BE-së, i cili ka kërkuar shqyrtimin e saj gjyqësor – duke pezulluar procesin e ratifikimit, sipas “Euronews”.
Von der Leyen bëri të ditur se Komisioni do të ecë përpara me aplikimin provizor të marrëveshjes, duke theksuar se institucioni do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet e BE-së, për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent.
Ajo e cilësoi marrëveshjen si një nga marrëveshjet më me peshë të gjysmës së parë të këtij shekulli.
Marrëveshja ka përçarë prej vitesh shtetet anëtare të BE-së. Gjermania e ka mbështetur fuqishëm, duke e parë si një mundësi për të forcuar qasjen në tregjet globale, ndërsa Franca ka udhëhequr kundërshtimin, me argumentin se ajo do t’i ekspozojë fermerët evropianë ndaj konkurrencës së padrejtë nga importet e vendeve të Mercosur-it.
E negociuar për 25 vite, marrëveshja synon krijimin e një zone të tregtisë së lirë, që përfshin mbi 700 milionë banorë mes BE-së dhe vendeve të Amerikës Latine, përfshirë Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain.
Sipas Von der Leyen, ajo do t’u japë kompanive evropiane një akses në tregun latino-amerikan që më parë vetëm “mund ta ëndërronin”, duke theksuar potencialin e lartë për eksport.
Megjithatë, kundërshtarët arritën të sigurojnë shumicën e votave në Parlamentin Evropian për ta referuar marrëveshjen në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në janar, duke bllokuar përkohësisht ratifikimin.
Komisioni Evropian, megjithatë, ruan të drejtën ligjore për ta zbatuar përkohësisht marrëveshjen, pasi një ose më shumë vende të Mercosur-it të përfundojnë procedurat e tyre të ratifikimit.
Argjentina dhe Uruguai e kanë përmbyllur tashmë këtë proces, duke i hapur rrugë ekzekutivit evropian për të vepruar.
