Kryeministri Edi Rama paraqiti sot në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe të kabinetit qeveritar në Pallatin e Brigadave, disa të dhëna lidhur me veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.
Rama deklaroi se në historinë e SPAK numri i akuzave për korrupsion është vetëm 10.
“Në historinë e Prokurorisë së Posaçme ka vetëm 10 akuza për korrupsion. Flas për akuza, nuk flas për dënime,” u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, janë gjithashtu 16 akuza për shpërdorim detyre dhe rreth 15 raste për pabarazi në tendera dhe ankande publike.
Rama theksoi se shifrat mund të kenë luhatje të vogla, pasi jo të gjitha të dhënat janë publikuar në mënyrë transparente.
“Shifrat mund të variojnë me pak se për fat të keq nuk janë të gjitha të publikuara në mënyrë transparente. Këto janë shifra të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë dhe të dytë të qeverisjes socialiste.
“Një logjikë e thjeshtë të thotë që nuk është se sa më shumë ne rrimë në qeveri aq më shumë ka korrupsion, por sa më shumë ne jemi në qeveri aq më shumë luftohet korrupsioni. Dhe sa më shumë jemi në qeveri, aq më shumë dalin nga varret e së shkuarës rastet problematike”, deklaroi Rama.
Duke iu referuar hetimeve për ngjarjet e 21 janarit 2011, ai u shpreh se drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare.
“Përtej paradoksit që katër varre të të vrarëve janë ende në kërkim të drejtësisë, nuk ka ngut as për të bërë kontrolle banesash që s’ka nevojë të bëhen në këtë rast, as për të ngritur akuza, për arsye që gjithkush mund t’i marrë me mend në mënyrën e vet, por ne nuk i dimë faktikisht cilat janë”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe vlerësimin e Komisioni Europian për Shqipërinë në fushën e prokurimeve publike.
“Shqipëria renditet nga Komisioni Europian në vendin e parë në rajon për integritetin e prokurimeve publike, me diferencë nga vendi i dytë. Kjo do të thotë që ka më pak korrupsion, jo më shumë”, deklaroi ai.
Rama përmendi gjithashtu transformimin digjital përmes platformës e-Albania, duke theksuar kursimet për qytetarët.
“Shqipëria e E-Albanias u ka kursyer shqiptarëve, sipas një konsulenti ndërkombëtar që morëm për të bërë një auditim, një radhë të gjatë sa 22 mijë rrotullime rreth tokës dhe thuajse 1 miliard euro nga xhepi”, tha ai.
Sipas Ramës, këto tregues dëshmojnë ulje të korrupsionit. “Do të thotë që ka më pak korrupsion, jo më shumë”, theksoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë vuri në dukje edhe kontrastin mes numrit të akuzave dhe perceptimit publik.
“Raste akuzash për korrupsion mund të jenë vërtet 10 në total, ku përfshihen jo thjesht anëtarë qeverie, por edhe kryetarë bashkie e drejtorë të lartë. Po emisione, lajme, postime në të gjithë penxheren e poteren e madhe politike-mediatike mund të jenë 10 milionë”, theksoi Rama.
