Thumbs b c 9fad3c10b66949943829b26ee54628da 696x385

Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit, Donald Trump foli më gjatë se cdo paraardhës, tek rreshtoi arritjet e mandatit të tij në cështje që përfshinin ekonominë, inflacionin dhe emigracionin.

Kufiri i SHBA-së është i sigurt, ekonomia po lulëzon si kurrë më parë dhe armiqtë tanë janë frikësuar, tha ai mes brohoritjeve të kolegëve republikanë.

“Kombi ynë është rikthyer, më i madh, më i mirë, më i begatë dhe më i fortë se kurrë më parë. Kjo është epoka e artë e Amerikës”, u shpreh Trump.

Trump e shënjestroi edhe një herë Gjykatën Supreme, duke kritikuar sërish vendimin e saj për të bllokuar tarifat e tij për importet nga shumë vende të botës. “Një vendim i pafat”, ky ishte përshkrimi që bëri presidenti amerikan. Më tej, preku dhe çështjen e Iranit, për të cilin tha se preferon një zgjidhje diplomatike edhe pse e ka kërcënuar vazhdimisht Republikën Islamike me ndërhyrje ushtarake. Trump përmendi protestuesit e vrarë e tha se shumë njerëz do të ishin ekzekutuar po të mos ndërhynte ai.

“Ajataollahët? Njerëz të tmerrshëm. Duan të bëjnë një marrëveshje, por ende nuk i kemi dëgjuar ato fjalët e shenjta: “Nuk do të kemi kurrë një armë bërthamore”. Irani po zhvillon raketa me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin territorin amerikan. Ata kanë zhvilluar tashmë arme që mund të kërcënojnë Europën dhe bazat tona jashtë vendit; po punojnë për të ndërtuar raketa që së shpejti do të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.”, tha ai.

Sa për luftën e Ukrainës, shefi i Shtëpisë së Bardhë këmbënguli se administrata e tij po “punon shumë fort” për t’i dhënë fund konfliktit, teksa përsëriti se “se lufta “nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha asokohe president”. Dhjetëra ligjvënës demokratë bojkotuan fjalimin, që me gati dy orë kohëzgjatje, ishte më i gjati i këtij lloji në historinë e SHBA-së. Përfaqësues nga opozita demokrate më parë ishin shprehur me vlerësime tejet negative për qeverinë amerikane nën Trump. Lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se realiteti nën “Trump 2.0” mund të përmblidhet në tre fjalë: “Kosto, kaos, korrupsion”.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, akuzoi Trumpin se po përpiqet të sabotojë zgjedhjet e mesit të mandatit në vjeshtë, të cilat konsiderohen një provë e rëndësishme e opinionit publik. Presidenti e di “se do të pësojë një goditje të fortë, se do të rrënohet në këto zgjedhje të mesit të mandatit”, tha Newsom.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights