Belinda Balluku GJKKO SPAK 770x448

Më 26 shkurt, në orën 11:00, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të zhvillojë mbledhje në Pallatin e Brigadave, sa i takon çështjes së Belinda Ballukut.

Pritet që mazhoranca të dalë me qëndrim zyrtar mbi rastin që ka ‘trazuar’ politikën shqiptare muajt e fundit.

Kjo lëvizje vjen pas mbledhjes për rreth 3 orë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kryesinë e Kuvendit në nisje të kësaj jave.

Prokurorët e çështjes, Dritan Prençi e Dorina Bejko, lexuan relacionin me akuzat e ngritura ndaj Ballukut, e cila është pezulluar nga detyra si zëvendëskryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Ballukut, rreshtoi argumentet e saj duke theksuar se “SPAK duhet të provojë kushtet kur kërkon masë më të fortë sigurie”

Në tryezë ishte i pranishëm edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, Klodian Braho, si dhe anëtarë të Këshillit nga të dy kampet politike.

Prokurorët kërkuan që Ballukut t’i hiqet imuniteti si deputete, kërkesë që e përforcuan edhe demokratët, të cilët apeluan që të votohet sa më shpejt në Parlament.

Por ndryshe mendon mazhoranca…

Socialistët nuk janë dakord që nga salla e Kuvendit t’i hapet rruga një mase të karakterit shtrëngues, duke nënvizuar se mjaftojnë masat e marra deri më tani ndaj Ballukut.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi Ballukun se ka tentuar të ndërhyjë te dëshmitarët, nëpërmjet kërcënimeve apo dhënies së ryshfeteve. Akuza pati edhe në drejtim të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas Bardhit, kishte urdhëruar pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve për t’u bërë ‘mburojë’ për numrin dy të qeverisë.

Tanimë pritet të shohim se çfarë do të ndodhë të enjten, teksa janë bërë më shumë se 2 muaj që nuk është dalë me një raport përfundimtar. Për kreun e qeverisë, bazuar në deklaratat e tij të deritanishme, “nuk mund të ketë dorëheqje me presion dhe duke cenuar pushtetin ekzekutiv”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights