Situata në segmentin e dëmtuar rrugor paraqitet tejet kritike. Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka deklaruar se parashikimi për hapjen e rrugës në mesditën e sotme ka dështuar për shkak të rrëshqitjeve aktive të tokës që vijojnë në zonë.
Raportohet se sipas kreut të ARRSH, lëvizjet e vazhdueshme të masivit të dheut e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e sigurt dhe stabilizimin e menjëhershëm të segmentit.
“Nuk mund të themi me siguri për një zgjidhje të afërt dhe të qëndrueshme,” është shprehur drejtori, duke theksuar se situata mbetet dinamike dhe në monitorim të vazhdueshëm nga specialistët.
Në këto kushte, ARRSH po shqyrton alternativa për të garantuar qarkullimin. Po mendohet ndërhyrja për sistemimin e rrugës rurale Spathar – Rruga Egnatia – Dardhë – Hotolisht, si dhe aktivizimi i një rruge dytësore nga fshati Dragostunjë, me qëllim devijimin e përkohshëm të trafikut.
“Situatë kritike, ajo që ne shpresuam se ishte një plan rrëshqitje në 6 metra nuk rezultoi i tillë rrëshqitjet janë aktive. Masat e marra me Bypass dhe rrugë unaza sekondare nuk rezultuan efektiv edhe aksi do të vijojë të mbetet i bllokuar. Po diskutohet të bëhet një rrugë altertnative, një prej mundësive është Spathari pse rrugë alternative në Dragostunjë”, tha ai.
Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonën e rrezikuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në një stabilizim të plotë të situatës.
