Ky shkrim i BBC-së pasqyron Yelets, një qytet rreth 350 km në jug të Moskës, për të treguar se si lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm. Artikulli trajton pasojat sociale dhe ekonomike të “operacionit special ushtarak”, nga muralet në kujtim të ushtarëve të vrarë dhe strehimet emergjente për sulmet me dronë, te vështirësitë financiare të familjeve dhe bizneset e vogla.
Përmes dëshmive të banorëve, eksplorohet ndjenja e konfuzionit, frikës dhe lodhjes nga një luftë që për shumë rusë duket e largët, por me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre.
Nga shtrati i lumit shihen kupolat e arta të kishave ortodokse, ndërsa në pjesën tjetër peshkatarët që janë të shpërndarë përgjatë sipërfaqes së ngrirë. Por kjo ndjesi përrallore është kalimtare…
Në breg të lumit vërehet një pankartë për rekrutimin në ushtri, që premton një shumë të vetme ekuivalente me 15 mijë paund për këdo që nënshkruan për të luftuar në Ukrainë. Afër saj, një poster tregon një ushtar rus me kallashnikov, ku shkruhet: Ne jemi aty ku duhet të jemi!
Kremlini nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Jashtë Rusisë, kjo u pa si një përpjekje për të detyruar Kievin të rikthehej në orbitën e Moskës dhe për të sfiduar të gjithë arkitekturën e sigurisë pas Luftës së Ftohtë në Europë.

Udhëheqësit rusë parashikonin një operacion të shkurtër dhe të suksesshëm ushtarak, por gjërat nuk shkuan sipas planit.
4 vjet më vonë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon, duke zgjatur më shumë se lufta brutale e Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik, e njohur këtu si Lufta e Madhe Patriotike. Dhe në këtë qytet, pasojat janë të dukshme.
Një mur gjigant mbulon njërën anë të një pallati në Yelets me nëntë kate. Aty janë portretet e pesë ushtarëve rusë, burra lokalë që kanë vdekur duke luftuar në Ukrainë. Në krye shkruhet: Lavdi heronjve të Rusisë!
Autoritetet ruse nuk publikojnë shifra për viktimat e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”, por dihet se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës.
Shumë qytete dhe fshatra kanë muzeume dhe monumente për ushtarët e vrarë në Ukrainë, si dhe vende të veçanta në varreza për të rënët e fundit të luftës.
Irina, një punonjëse në stacionin e autobusëve, ndalet të flasë për muralin:
Burri i shoqes sime u vra atje. Djali i kushëririt tim, gjithashtu. Dhe nipi! Shumë njerëz kanë humbur jetën. Më vjen keq për këta djem…
Irina përpiqet të mbijetojë me pagën e saj të vogël. Çmimet dhe faturat e shërbimeve janë të larta, dhe jeta është e vështirë. Megjithatë, ajo jep kontributin e saj për të përgatitur paketa ndihme për ushtarët rusë në front. Ajo nuk kritikon luftën, por shpreh konfuzion:
Në Luftën e Madhe Patriotike e dinim për çfarë po luftonim. Tani nuk jam e sigurt.
Ndërsa kufiri me Ukrainën është vetëm 250 km larg, fronti ndonjëherë duket më afër.
Rreth Yelets, autoritetet kanë vendosur strehimore emergjente. Njëra është pranë një stacioni autobusi, tjetra në një park. Këto struktura betoni qëndrojnë si monumente për “operacionin special ushtarak” të Presidentit Vladimir Putin. Para pushtimit të plotë nga Kremlini, nuk kishte nevojë për strehimore, sepse nuk kishte sulme me dronë në territorin rus.

Edhe blloqet e pallateve kanë strehimore të posaçme në bodrum. Irina shpjegon:
Alarmet bien pothuajse çdo natë, por nuk dalim nga pallati. Thjesht shkojmë në korridor ku nuk ka dritare.
Në Yelets shenjat e luftës shfaqen edhe në vende të papritura. Një kafene lokale ka në emër shkronjat V dhe Z, simbole të “operacionit special ushtarak”.
Vladimir Putin e ka thënë më parë se “aty ku vendoset këmbë ushtari rus, toka është e jona”.
Në Moskë, 2 vjet më parë, një billboard elektronik shfaqte fjalinë: Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund!
Lufta po rëndon edhe ekonomikisht. Me deficitin buxhetor në rritje dhe ekonominë që ka mbetur në vend, qeveria rriti TVSH-në nga 20% në 22%. Ministria e Financave thotë se të ardhurat e reja do të përdoren për “mbrojtje dhe siguri”.
Bizneset e vogla po vuajnë. Në një furrë në Yelets, erëza e bukës së ngrohtë me rrush të thatë dhe ëmbëlsirat janë tërheqëse, por pronarët ndihen tejet të lodhur nga kriza ekonomike dhe taksat.
Anastasiya Bykova thotë:
Na është dashur të rrisim çmimet, sepse faturat për energji, qiranë dhe taksat janë rritur. Edhe TVSH-ja e re i ka bërë të shtrenjtë përbërësit.

Rreth 1 orë larg Yelets, në kryeqytetin e rajonit Lipetsk, shihen më shumë kujtime të luftës: posterë ushtarakë dhe strehimore.
Por Ivan Pavlovich, një pensionist, shqetësohet më shumë për një rrjedhje në pallat. Ai është i zemëruar për çmimet e larta dhe faturat e shërbimeve.

Kur pyetet për luftën, thotë:
Nëse do të isha më i ri, do të shkoja të luftoja.
Operacioni special, sipas tij, është i shkëlqyer. Por çmimet rriten, pensionet rriten…
Ai shton: Sigurisht, do të jetonim më mirë pa këtë operacion. Por njerëzit ndihmojnë sa mundin, dhe duhet të ndihmojmë. Nuk po ankohem.
Ruset ndihen gjithnjë e më të lodhur. Pak besojnë se mund të ndryshojnë diçka. Teksa lufta hyn në vitin e 5-të, pak optimizëm ekziston. Shumë prej tyre thjesht përpiqen të kalojnë ditët, duke shpresuar për kohë më të mira
