Në Ditën e Shqipërisë në Zyrën Europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimin e një sistemi shëndetësor modern, të qëndrueshëm dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane.
Ministrja Sala, u ndal tek prioritetet kyçe të reformave në shëndetësi, ndër të cilat është edhe ristrukturimi i shërbimit spitalor, përmes kalimit nga financimi i bazuar në shtretër në financimin sipas rasteve (modeli DRG), duke garantuar që fondet publike të ndjekin shërbimin dhe performancën.
Në këtë kuadër, ajo theksoi se do të racionalizohen kapacitetet e 42 spitaleve dhe do të zgjerohen shërbimet.
Po ashtu, Sala u ndal te reforma në shërbimin e onkologjisë, përmes ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumorit dhe Rrjetit Kombëtar Onkologjik, në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano, si dhe investimit në infrastrukturë, në qendrat ditore në disa spitale si dhe në përditësimin e protokolleve sipas standardeve më të avancuara.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas ministres është edhe integrimi i IA në shëndetësi, me ndërtimin e boshtit digjital të shëndetësisë dhe sistemeve të ndërveprueshme.
Gjatë vizitës, ministrja zhvilloi një takim me Drejtorin Rajonal për Europën të OBSH-së, Hans Henry P.Kluge., me të cilin u nënshkrua marrëveshja dyvjeçare e bashkëpunimit, që synon mbështetjen e Shqipërisë në garantimin e aksesit universal në kujdes shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm, forcimin e kapaciteteve për emergjencat shëndetësore dhe promovimin e komuniteteve të shëndetshme.
Në këtë kuadër, Shqipëria propozoi pranë OBSH-së edhe një nismë europiane për parandalimin dhe adresimin e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.
Në përfundim, ministrja theksoi se reformat në shëndetësi synojnë ndërtimin e një sistemi më efikas dhe më të përgatitur për të ardhmen, me fokus tek cilësia, barazia dhe qëndrueshmëria e shërbimeve për çdo qytetar.
