Strukturat e Policia e Shtetit kanë arrestuar 18 shtetas dhe kanë proceduar penalisht 28 të tjerë, pas incidenteve të ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet nga Partia Demokratike.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit një grup protestuesish ka kundërshtuar punonjësit e policisë, të cilët kishin marrë masa për ruajtjen e institucioneve shtetërore, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve në perimetrin ku po zhvillohej aktiviteti.
Policia bën të ditur se ndaj efektivëve dhe institucioneve janë hedhur lëndë piroteknike, molotovë dhe sende të forta. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në flagrancë u arrestuan 18 shtetas, A. K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç, mes tyre edhe 3 të mitur, ndërsa 28 shtetas të tjerë u proceduan penalisht.
Sipas policisë, materialet iu referuan Prokurorisë për nisjen e procedimit në gjendje të lirë ndaj shtetasit K. B., me detyrë deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
