Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, gjatë një konference për mediet, e pyetur nga gazetari për protestën e opozitës të lajmëruar për sot, u shpreh se Policia ka për detyrë të garantojë sigurinë dhe rendin.
Koçiu tha se Policia e Tiranës ka deklaruar se nuk merr përsipër mbarëvajtjen e tubimeve, duke marrë shkas nga dhuna e ushtruar gjatë dy protestave të kaluara të organizuara nga Partia Demokratike.
“Kjo është një procedurë që lidhet drejtpërdrejt me protestat e kaluara dhe dhunën që ka pasur gjatë atyre protestave. E drejta për t’u tubuar dhe manifestuar është e kujtdo. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe për këtë është dhe do të jetë aty”, u shpreh Koçiu.
E pyetur mbi përgjegjësit e dhunës në protestë, Koçiu tha se vepra penale klasifikohet nga organet kompetente që kryejnë hetimin.
“Si të jetë një protestë me leje apo pa leje, kushdo që kryen një veprim që dënohet si shkelje penale, këtë e klasifikon policia dhe organet kompetente. Kush shkel ligjin, procedohet penalisht sipas veprës penale që ka kryer”, u shpreh Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se shqetësim është dhe përdorimi i të miturve për të kryer akte dhune.
“Një shqetësim është përdorimi i të miturve, të shmangim sa më shumë këtë fenomen. Organizatorët duhet të distancohen nga përdorimi i të miturve për akte të turpshme, akte dhune gjatë protestës. Është një nga gjërat më të poshtra, shfrytëzimi i miturve në protesta për akte dhune.
Duhet një ndërgjegjësim për sa u takon të gjitha forcave të policisë, medias etj., që janë aty për të kryer detyrën, për të mos motivuar këdo që kërkon të krijojë incidente të dhunshme në shesh”, tha Koçiu.
