Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të shprehet së shpejti lidhur me dërgesa të mundshme të reja armësh për Taiwan, një çështje që irriton Pekinin dhe që së fundmi i ka sjellë një paralajmërim nga presidenti kinez, Xi Jinping.
“Po flas me të për këtë. Patëm një bisedë të mirë dhe do të marrim një vendim shumë shpejt”, tha Trump në bordin e avionit presidencial ”Air Force One”, ndërsa pritet të vizitojë Kinën në prill.
Edhe pse Uashingtoni nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin, SHBA-ja mbetet mbështetësi dhe furnizuesi kryesor me armë i ishullit, sovranitetin e të cilit e pretendon Pekini.
Në mesin e dhjetorit, Tajvani njoftoi blerje armësh amerikane me vlerë 11,1 miliardë dollarë, duke shkaktuar zemërimin e Kinës, e cila reagoi me një dislokim të gjerë ushtarak rreth ishullit.
Kjo shitje, që përfshin ndër të tjera raketa dhe dronë, është më e madhja që nga viti 2001, kur ish-presidenti amerikan George W. Bush miratoi dërgimin e armëve me vlerë 18 miliardë dollarë për Tajvanin.
Gjatë një telefonate në fillim të shkurtit, Xi Jinping paralajmëroi presidentin amerikan se SHBA-ja duhet të “tregohet e kujdesshme” në shitjet e armëve ndaj Tajvanit.
“Strategjia e re e Mbrojtjes Kombëtare” (NDS) e Shteteve të Bashkuara për vitin 2026, e publikuar në janar nga Departamenti amerikan i Luftës, thekson se Uashingtoni “do ta frenojë Kinën në rajonin indo-paqësor përmes forcës dhe jo përmes konfrontimit”, por nuk e përmend Tajvanin, ndryshe nga strategjitë e mëparshme.
Ndërkohë, Uashingtoni i ka bërë thirrje Tajpeit të investojë më shumë për mbrojtjen e vet.
Presidenti tajvanez Lai Ching-te ka propozuar 40 miliardë dollarë shpenzime shtesë ushtarake për tetë vitet e ardhshme, të cilat ende duhet të miratohen nga Parlamenti.
Këto fonde do të shërbejnë, ndër të tjera, për financimin e projektit “T-Dome”, një sistem i mbrojtjes ajrore me shumë shtresa, i frymëzuar nga sistemi izraelit ”Iron Dome”
