Familjet e prekura nga përmbytjet e mbrëmjes së të dielës së fundit në Njësinë Administrative Bradashesh shprehen se ndihen të rrezikuara sa herë që bien reshje shiu. Sipas tyre, shkak për situatën e përsëritur është firma “Salillari”, e cila po kryen punimet për ndërtimin e urës së rrugës Papërr–Elbasan, pjesë e Korridorit VIII, mbi përroin e Kushës në fshatin Katund i Ri.

Ura, rreth 100 metra e gjatë, ka disa këmbë të vendosura mbi shtratin e përroit, të cilat sipas banorëve në kohë prurjesh të shumta devijojnë rrjedhën e ujit jashtë shtratit natyror, duke shkaktuar përmbytje në banesa.

Një nga banorët e dëmtuar, Nexhip Meta, tregon pasojat e rënda që ka pësuar: “Përmbytja më dëmtoi 18 koshere bletësh dhe dhjetëra pula. Uji që hyri në shtëpi arriti mbi gjysmë metri. Është hera e tretë që përmbytemi në këtë lagje.” Banorët theksojnë se jetojnë me frikë të vazhdueshme dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të shmangur dëme të tjera.

Nga ana tjetër, drejtues të kompanisë “Salillari”, të pyetur lidhur me problematikën, deklarojnë se situata është komplekse dhe se kompania është angazhuar maksimalisht për të evituar përmbytjet. Sipas tyre, punimet po zhvillohen në një segment të vështirë, në një shesh ndërtimi që u përmbyt edhe vetë, duke dëmtuar edhe mjete të kompanisë. Ata shtojnë se një banesë pranë urës duhej të ishte shpronësuar, por procedura nga ana e shtetit ende nuk është përfunduar.

Ndërkohë, strukturat e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan akuzojnë kompaninë për bllokimin e kanaleve kulluese me inerte, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në daljen nga shtrati të përroit të Kushës. Sipas tyre, kjo është hera e dytë që kompania përballet me akuza të tilla në këtë zonë.

Reshjet e fundit rikthyen përmbytjet në disa banesa pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, duke rritur tensionin mes banorëve dhe palëve të përfshira. Aktualisht, mësohet se po punohet për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, ndërsa priten verifikime në terren për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të marrë masat përkatëse administrative e ligjore.