Ministrja e Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirde deklaroi sot se Shqipëria ndodhet në një fazë kritike për avancimin e negociatave.
Në fjalën e mbajtur gjatë konkursit ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë i cili do të jetë një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, Pirdeni tha se “teksa kemi hapur 38 kapituj në një periudhë kohe rekord për më pak se 13 muaj, tashmë na ndajnë vetëm 22 muaj nga afati i dhjetorit 2027 kohë në të cilën kemi dakordësuar me KE përmbylljen e procesit të negociatave”.
Ajo shtoi se përgjatë këtij rrugëtimi, progresi nuk vlerësohet nga ambicia fillestar e reformave edhe në disa fusha, por nga qëndrueshmëria reale e sistemeve mbi baza standardesh në praktikë.
Në këtë pikë, ministrja Pirdeni nënvizoi se infrastruktura gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë luan një rol të rëndësishëm si kusht i domosdoshëm për funksionimin e drejtësisë.
“Përgjatë negociatave, KE ka pritshmëri konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në sistemin e drejtësisë që nga përmirësimi i kushteve në sallat e gjyqit, ruajtjes së arkivës gjyqësore, garantimit të infrastrukturës teknologjike që garanton transparencë gjatë proceseve gjyqësore”, vijoi ajo.
Pirdeni solli në vëmendje një plan të nisur tashmë të përmbushjes së nevojave për modernizimin e infrastrukturën e sistemit gjyqësor, plan i cili i është përcjellë edhe KE.
Në këtë kuadër, ministrja nënvizoi se është garantuar që të plotësohet mjedise të përshtatshme të Gjykatës së Apelit.
Duke u ndalur te mbështetja financiare për sistemin e drejtësisë, Pirdeni tha se me buxhetin e vitit 2026 është garantuar një mbështetje shtesë financiar prej 500 milionë lekësh dhe që nga zbatimi i reformës në drejtësi kjo mbështetje arrin në 1.6 miliardë lekë.
“Të gjithë këto përpjekje janë pjesë e planit për të modernizuar sistemin dhe qeverie është aktor i rëndësishëm për ta mbështetur sistemin e drejtësisë edhe nga pikëpamja e infrastrukturës digjitale”, shtoi ajo.
Ministrja Pirdeni nënvizoi se “ka qenë dhe mbetet një nevojë e qenësishme për të modernizuar të gjithë sistemin digjital të gjykatave dhe në saj të mbështetjes buxhetore dhe fondeve IPA të BE-së ka nisur tashmë procesi i ngritjes së sistemit të integruar të çështjeve në gjykata dhe në prokurori dhe besojmë që brenda afate të përcaktuar dhe të dakordësuar me KE brenda vitit 2027 do kemi një sistem që do mund të vihet në jetë që brenda kësaj dekade qytetarët shqiptarë të mund ta prekin drejtësinë digjitale”.
