Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala u shpreh sot se janë rreth 46 mijë persona, gra, fëmijë e të moshuar që përfitojnë shërbime sociale në të gjitha bashkitë e vendit.
Në eventin “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Sala tha se përtej shifrave, pas çdo shërbimi social ka një histori njerëzore.
“Ka fëmijë që gjejnë mbrojtje dhe kujdes, gra dhe vajza që rimarrin forcë dhe familjen që nuk janë vetëm. Dorela, Dilaveri, Emineja, Dovleti, prindërit kujdestar, Ariana dhe Tomi, janë të gjithë dëshmi të fuqisë transformuese të Fondit Social dhe partneritetit tonë. Dhe ata nuk janë të vetmit. Rreth 46 mijë gra, fëmijë, të moshuar pa përkujdesje, persona të aftë ndryshe që kanë përfituar nga shërbimet sociale të financuar përmes Fondit Social”, tha Sala.
Sipas Salës, në 2019-n, në pikënisje, ofroheshin vetëm 14 shërbime në 14 bashki, pothuajse të gjitha të përqendruara në qytetet e mëdha.
Ministrja Sala nënvizoi se sot, në 2026-n, ofrohen 98 shërbime sociale në të gjithë bashkitë e vendit dhe buxheti i dedikuar është 6.5 herë më i lartë.
“Ky është ndryshimi konkret. Kjo është politika që matet me rezultate. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria arrin të ofrojë mbështetje qelizore në terren, me të paktën një shërbim kudo, nga kryeqyteti e deri në bashkitë e saj më të vogla”, vijoi ajo.
Pavarësisht arritjeve të një pune 7-vjeçare, Sala tha se duhet hapur kapitull i ri, edhe më ambicioz, në shërbim të komuniteteve dhe qytetarëve që kanë më shumë nevojë për mbështetje, duke mos lënë pas askënd.
Sipas Salës, gjatë vitit 2026, Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, për gra dhe vajza viktima të dhunës, si dhe për fëmijë pa kujdes prindëror.
Sala tha se “këto shërbime janë ngritur në partneritet të plotë me pushtetin vendor dhe lidhen drejtpërdrejt me rolin dhe përgjegjësinë e bashkive për të vijuar financimin dhe ofrimin e tyre në kohë”.
“12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik, Kamzë, si dhe dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku”, theksoi Sala.
Ministrja Sala falënderoi kryetarët e bashkive për të gjithë punën e përbashkët, si dhe për përgjegjësinë që ata marrin përsipër duke vënë në dukje se kjo aleancë ka siguruar qëndrueshmërinë e Fondit Social në vite, duke garantuar që shërbimet jo vetëm të zgjerohen, por asnjëherë të mos shkurtohen apo të transferohen nga një komunitet përfitues te një tjetër.
“Rritja me 17% e buxhetit të Fondit Social dhe paketa historike prej 300 milionë eurosh, e vendosur në dispozicion të Programeve të Përkujdesjes Sociale në 2026, është një provë e pakundërshtueshme e avancimit jo vetëm në kapacitete, por edhe në ambicien për të qëndruar pranë çdo qytetari që ka nevojë për mbështetje”, vijoi Sala.
Ministrja Sala falënderoi për mbështetjen delegacionin e BE dhe UNICEF.
Seferi: Forcim i rolit të bashkive për shërbime sociale
Nga ana e saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, informoi se të 61 bashkitë në rang vendi kanë plane sociale të integruara për familjet dhe komunitetet në nevojë.
“Reforma e shërbimeve sociale është një nga proceset e qarta ku mund të shihet se si një shtet zhvillon politikat sociale dhe mbi të gjitha i ka të qëndrueshme, por me synimin për mirëqenien e qytetarëve të tij. Sistemi i shërbimeve sociale numëronte jo pak shërbime dikur, të cilat ofroheshin nga OJF të ndryshme, nga partnerë ndërkombëtarë dhe ato nuk ishin të qëndrueshme. Shërbimet sociale duhet të jenë në terren, por ato kanë nevojë për dorën e shtetit”, tha Seferi.
Sipas Seferit, Fondi Social është një nga mundësitë ku ndryshimi nuk është vetëm numerik, por edhe strukturor.
“Është edhe forcimi i rolit të shtetit dhe bashkive për të garantuar shërbime sociale për komunitetin. Sot, kemi një hartë digjitale të shërbimeve sociale, nga e cila ne vlerësojmë ngritjen e shërbimeve sociale territoriale. Bashkitë nuk janë thjesht zbatuese, por planifikuese dhe financuese të shërbimeve sociale. Ato hartojnë plane sociale vendore. Në vitin 2013, kishim zero bashki që kishin plane sociale vendore. Sot, 61 bashkitë e vendit kanë plane sociale vendore që do të thotë që ajo çfarë planifikohet realizohet dhe bëhet realitet”, vijoi ajo.
Zv/ministrja e Shëndetësisë, shtoi se qarqet në rang vendi kanë marrë përgjegjësitë e veta, ndërsa është realizuar edhe plani i parë rajonal social i qarkut të Tiranës.
