Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për protestën që mbajti dje opozita. Bardhi përmes një postimi në ‘Facebook’ theksoi se vendosmëria e njerëzve të lirë nuk shuhet me ujë e piper dhe as me gaz lotsjellës.
Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.
Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin. Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome.
Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin.
Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron.
