Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke rrëfyer në detaje konfliktin e tij me Ismet Boriçin, që sipas tij e ka zanafillën që në fund të viteve ’90 dhe është përshkallëzuar deri në tentativa për hakmarrje të armatosur.
“U krijua një situatë pa lidhje, ‘pse më sheh’. Ai nxori armën, unë ia kapa te tyta, por më qëlloi. Ika me vrap dhe më morën,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas kësaj ngjarjeje vendosi të merrte hak.
Sipas tij, në vitin 2018, së bashku me një person të quajtur Skerdi, organizuan një atentat ndaj Boriçit. Për këtë qëllim, ai tha se kishin siguruar një automjet Renault të vjedhur, armë zjarri, përfshirë një pistoletë Glock dhe një armë automatike, si dhe targa greke për të mos u identifikuar.
Hoxhaj rrëfeu se disa herë gjatë ditës patrullonin rreth pronës së Boriçit për ta vëzhguar. Në momentin e sulmit, sipas tij, Skerdi qëlloi nga vendi i pasagjerit, por arma iu bllokua, ndërsa ai vetë qëlloi nga timoni me pistoletë. Megjithatë, për shkak të xhamave të zinj të makinës, plumbat u ndalën dhe vëllezërit Boriçi pësuan vetëm gërvishtje të lehta.
“Ata na pikasën për shkak të xhamave të zinj dhe targave të huaja,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas të shtënave, objektivat u futën në lokal dhe më pas në banesë, ndërsa ata nuk dolën nga makina.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj theksoi se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e atentatit dhe se ai nuk kishte komunikuar me të për këtë ngjarje. Ai gjithashtu deklaroi se disa persona të përmendur në proces, si Renato Çami, i njeh vetëm si emra dhe jo personalisht.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Hoxhaj përshkroi edhe vendndodhjen e ngjarjes, pranë një lokali në zonën e gjimnazit të ri, ku ndodhej edhe banesa e familjes Boriçi.
