Florenc Xhafa, nga Instituti për Politika dhe Ligj, tha sot se linja e kontrollit mbi produktet ushqimore duhet të jetë e unifikuar nga ferma, deri te tryeza.
Xhafa ishte i pranishëm sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit në Kuvend, ku u diskutua adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Të pranishëm në aktivitet ishin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.
Xhafa u shpreh se janë rreth 150 akte ligjore dhe nënligjore që jo vetëm duhen miratuar, por edhe zbatuar. Në fjalën e tij, ai vuri theksin te kontrolli zyrtar.
“Janë katër-pesë pika kyçe, sfida me të cilat duhet të përballemi, por kontrolli zyrtar është një prej më thelbësoreve. Këtu përfshihen sistemet e kontrollit, infrastruktura mbështetëse, gjurmueshmëria, si dhe ndërtimi i një linje të pandërprerë kontrolli nga ferma deri te tryeza”, tha Xhafa.
Ai theksoi se Bashkimi Europian i kushton një vëmendje të veçantë sigurisë ushqimore për vendet që synojnë anëtarësimin në familjen europiane.
Sipas tij, kjo lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave dhe ushqimeve, e cila kërkon garanci dhe standarde të përcaktuara qartë nga BE për sigurinë ushqimore.
“Ne sot kemi funksione të ndara kontrolli, para pikës së thertores dhe pas saj. Në një pikë është bashkia, në një tjetër Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe këto janë të segmentuara. Prandaj duhet punuar që linja e kontrollit zyrtar të jetë e njëjtë nga nisja deri në fund. Kjo do të na ndihmonte për eksportimin e produkteve shtazore. Kontrolli duhet të bazohet në një plan risku, sepse nuk mund të kontrollohet çdo pikë dhe çdo element. Kjo ka kosto, sipas llojit dhe sipas bizneseve të ndryshme, ndaj duhen edhe konsultime me biznesin”, u shpreh ai.
Xhafa tha se çështja e nënprodukteve me origjinë shtazore nuk është vetëm problem i Shqipërisë, por i gjithë Ballkanit Perëndimor. “Bëhet fjalë për një legjislacion të ndërthurur mes atij të mjedisit dhe sigurisë ushqimore, për nënprodukte që as nuk hidhen në mjedis dhe as nuk konsumohen. Prandaj duhet menduar për një infrastrukturë rajonale të përbashkët, ku Shqipëria të jetë ndër vendet përfituese”, tha ai.
Sipas tij, certifikimet antimashtrim dhe vetë kontrolli zyrtar duhet të jenë të certifikuara. Ai solli si shembull Kroacinë, e cila, për shkak se nuk kishte zgjidhur të gjitha pikat e sigurisë ushqimore, pas anëtarësimit në BE la jashtë tregut gjysmën e prodhuesve të qumështit, pasi nuk përmbushnin standardet e kërkuara.
