Pas video-mesazhit të publikuar këtë të mërkurë nga kryeministri Edi Rama, ku mbajti qëndrim lidhur me kërkesën e dy shoqatave për rritje të pagave të gjyqtarëve, ka reaguar publikisht Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, duke iu bashkuar së njëjtës kërkesë.
“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.“, thuhet në njoftimin e publikuar për mediat.
Duke vënë theksin tek pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë, shoqata e prokurorëve bën thirrje që “gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik”.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë e konsideron Gjykatën Kushtetuese si autoritetin e vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces.
Ky qëndrim vjen fill pas një reagimi të gjatë të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, ku kritikoi argumentet e paraqitura nga gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa i konsideroi ata si më të paguarit sa i përket vendeve të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, madje po aq të paguar sa kolegët e tyre në Greqi, që është një vend anëtar në BE.
Për këtë arsye kryeministri e konsideron të pajustifikuar kërkesën. Ai mes të tjerash falënderoi publikisht Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që deri më tani nuk i është bashkuar kësa kërkese, që sipas tij nuk duhej të ishte marrë fare parasysh nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se dy shoqatat rezultojnë të kenë probleme me statusin e tyre ligjor. Njëra sipas tij e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe tjetra e paregjistruar fare.
