Një kthesë e re po merr hetimi për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj, një të dënuar me precedentë të rëndë penalë, me origjinë shqiptare, i cili u gjet i vrarë disa ditë më parë në zonën G’ të burgut të sigurisë së lartë në Korydallos. Edhe pse fillimisht për krimin u paraqit një i dënuar grek duke deklaruar se ishte autori i vrasjes, autoritetet helene po shqyrtojnë seriozisht skenarin që vrasësi i vërtetë të jetë një tjetër i burgosur, gjithashtu me origjinë shqiptare.
Sipas informacioneve të gazetarit investigativ Vasilis Lambropoulos, që po ndjek nga afër çështjen, vëmendja e hetuesve është përqendruar tani te një 44-vjeçar shqiptar, i cili ishte transferuar së fundmi në burgun e Korydallos dhe ndodhej në një qeli ngjitur me atë të viktimës. Ky person konsiderohet si i dyshuari kryesor, për shkak të disa elementëve të fortë që kanë dalë nga hetimi paraprak.
Një nga faktet më domethënëse është se 44-vjeçari u gjet edhe vetë i plagosur me thikë, çka sipas burimeve të hetimit tregon se ka pasur një përleshje të drejtpërdrejtë me viktimën. Ky element bie ndesh me versionin fillestar të ngjarjes.
Autoritetet dyshojnë se kjo deklaratë mund të ketë qenë përpjekje për të mbuluar autorin e vërtetë ose pjesë e një skenari më kompleks brenda mureve të burgut, ku marrëdhëniet mes të dënuarve, konfliktet e vjetra dhe rregullat e pashkruara të botës kriminale luajnë rol vendimtar.
Hetimin e rëndon edhe më shumë e kaluara kriminale e 44-vjeçarit të dyshuar. Sipas të dhënave zyrtare, ai kishte kryer një vrasje në vitin 2011 në zonën e Kalamatas, ku kishte vrarë me thikë një 35-vjeçar shqiptar për shkak të mosmarrëveshjeve që lidhen me transaksione dhe borxhe. Në të njëjtin episod tragjik, pranë një lumi në atë zonë, ai kishte kryer edhe një krim makabër, duke vrarë me thikë në qafë fëmijën 2-vjeçar të viktimës, një ngjarje që kishte tronditur opinionin publik në Greqi dhe më gjerë.
Pikërisht ky precedent i rëndë penal e bën figurën e tij edhe më të dyshimtë në sytë e hetuesve, të cilët po përpiqen të rindërtojnë minutë pas minute çfarë ndodhi brenda qelive të zones G’ ditën e vrasjes së Jani Aliajt. Po merren në shqyrtim kamerat e sigurisë, dëshmitë e rojeve dhe të burgosurve të tjerë, si edhe raportet mjeko-ligjore për plagët e viktimës dhe të të dyshuarit.
Ngjarja ka ngritur sërish pikëpyetje serioze mbi kushtet e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë në Greqi, ku, pavarësisht masave, dhuna mes të dënuarve vazhdon të jetë një problem i madh. Autoritetet theksojnë se hetimi është ende në zhvillim dhe se asnjë skenar nuk përjashtohet, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja dhe ndoshta edhe akuza të reja zyrtare.
Vrasja e Jani Aliajt duket se nuk është një incident i thjeshtë, por pjesë e një historie më të errët, ku e shkuara kriminale, konfliktet personale dhe rregullat e dhunshme të botës së nëndheshme përplasen brenda mureve të burgut.
