Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor theksoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur, funksionale dhe me integritet.
Ai deklaroi se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund, ndërsa raportet ndërkombëtare dhe mediat tha “se me të drejtë i kushtojnë vëmendje të veçantë aktivitetit të SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme”.
Presidenti nënvizoi rolin thelbësor të KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor), KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), ILD (Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë) dhe Shkollës së Magjistraturës në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ai shtoi se çështjet administrative, buxhetore dhe proceduriale kërkojnë bashkëpunim institucional për suksesin e reformës në drejtësi.
Duke iu drejtuar magjistratëve, Begaj tha se i kupton sfidat e sistemit, por qytetarët presin vendime të drejta dhe në kohë të arsyeshme.
“Drejtësia që të funksionojë i duhet kushte optimale, por mungesa e tyre nuk duhet të na bëjë të harrojmë se para së gjithash drejtësia është ideale”, tha ai.
Presidenti përmendi gjithashtu ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe theksoi se pavarësia, siguria dhe respekti janë mjetet për të realizuar qëllimin e reformës në drejtësi, duke shtuar se shumë vendime varen nga qeveria dhe Parlamenti, por ato që janë në dorë të magjistratëve janë themelore për reformën.
Fjalën e tij e mbajti edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ai tha se duhet që gjykatat të tregojnë paanësi dhe që drejtësia të jetë e arritshme për qytetarët.
Thënë kjo, Sadushi kërkoi sërish nga gjyqtarët që të angazhohen që vendimet për çështjet gjyqësore të mos i zvarrisin pasi “një drejtësi që vonon, rrezikon të kthehet në padrejtësi”.
“Besimi i qytetarit tek shteti rrallë nis me deklarata. Zakonisht nis në sallën e gjyqit ku një person sjell një konflikt dhe pret të dëgjohet me paanësi. Gjykatat tregojnë nëse ligjshmëria është më shumë se një aspiratë. Për shumë qytetarë drejtësia është kontakti më i drejtëpërdrejtë me shtetin.
Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë tek drejtësia, pavarësia zbehet në aspektin e saj më kryesor, mbrojtjen reale të të drejtave.
Për vitin gjyqësor që hapim sot angazhimi ynë duhet të jetë i dukshëm në disa drejtime. Qartësia dhe arsyetimi i vendimit, koha e arsyeshme. Drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një stok çështjesh të prapambetura. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe mbeten pezull”, deklaroi ai.
