Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Rajoni Elbasan–Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe një shtetasi, në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet”.
Sipas AMP-së, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj nënkomisarit R.T., specialist për krimet pranë Stacionit të Policisë Manzë, inspektorit E.K., ndihmësspecialist/kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, si dhe ndaj shtetasit I.T., banues në Tiranë.
Ndërkohë, masat “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” janë caktuar ndaj komisarit D.S., shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll, nënkomisarit A.M., përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, inspektorit G.B., ndihmës pecialist/kontrollor në të njëjtin stacion, si dhe inspektorit E.D., trupë shërbimi operacional pranë Njësisë Speciale “RENEA”.
Nga hetimet e kryera në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, rezulton se të dyshuarit, duke shfrytëzuar atributet e funksionit dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive të paligjshme.
Veprimet e tyre dyshohet se përbëjnë elementët e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Në funksion të hetimeve janë sekuestruar shtatë telefona celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.
