Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi për gazetarët se operacioni i SPAK ndaj një kollsentri në Tiranë u dekonspirua.
“Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë. Janë dyqind sipërmarrje, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe kollsentri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim”, tha Berisha.
Berisha pohoi se kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narkopolicisë.
“Njëlloj si dikur, për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme, se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifa zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së tillë ku mashtrohen dhe vidhen qytetarët e vendeve të tjera.
Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë, ku u thuhet sille shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do gjejmë kaq”, tha ai.
Kreu i PD-së shtoi se agjentët e BKH-së u kanë dhënë çdo informatë ekipit që hetonte, pasi kanë të gjitha fotot dhe videot e dokumentet për veprimtarinë.
“Ata kur shkuan e gjetën të boshatisur dhomën, sepse kishin hequr të gjithë kompjuterat, çka vërteton edhe një herë deklaratën e prokurorit të antimafies të Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narkoshtet. Është më keq se narkoshtet, thotë, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. E pamundur të sosësh një hetim”, tha Berisha.
