Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Enno Bozdo, ka kërkuar zyrtarisht informacion të detajuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Ministri i Financave lidhur me Parkun Teknologjik “Durana”, duke e cilësuar atë si një nga skemat më të rënda të evazionit fiskal të ndërtuara ndonjëherë me bashkëpunimin e vetë qeverisë.
Në një deklaratë për mediet, Bozdo bëri të ditur se ka kërkuar informacion të plotë mbi kompanitë e regjistruara në park, pronarët e tyre, adresat reale të aktivitetit dhe përfitimet financiare të marra nga përjashtimet fiskale.
“Këto informacione do të ndihmojnë për të hedhur dritë dhe bërë transparencën e plotë mbi një çështje shumë të ndjeshme, e cila po shpaloset përpara opinionit publik si një ndër evazionet më të mëdha fiskale, dhe kësaj radhe si asnjëherë tjetër, me konceptimin dhe bashkëpunimin e plotë të qeverisë shqiptare”, u shpreh Bozdo.
Sipas Bozdos, nuk ekziston asnjë model i një “Parku Virtual” me përjashtime tatimore në asnjë vend anëtar të BE-së. “Referencat që qeveria i bën modeleve evropiane janë totalisht të rreme”, tha Bozdo.
“Modeli i BE-së shpërblen aktivitetin real ekonomik: njerëzit, laboratorët, punën e kryer në territor. Ndërsa modeli ‘Durana’ jep përjashtime 100% nga taksat bazuar vetëm në regjistrim, pa asnjë lidhje fizike apo ekonomike reale”, deklaroi deputeti.
Sipas Bozdos, ky model bie ndesh me standardin ndërkombëtar të BE-së dhe OECD-së, të njohur si Qasja Nexus në kuadër të planit BEPS, i cili synon të luftojë shmangien tatimore dhe zhvendosjen artificiale të fitimeve.
Bozdo tha gjithashtu se Parku Virtual “Durana” krijon një avantazh të padrejtë për një grup të vogël kompanish, duke dëmtuar rëndë bizneset e ndershme të sektorit të IT-së.
Në përfundim, deputeti e cilësoi aferën “Durana” si një rast flagrant të kapjes së shtetit.
