E ardhmja e Kristjan Asllanit duket gjithnjë e më larg Torinos.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare është zyrtarisht në listën e lojtarëve që mund të largohen gjatë kësaj merkatoje, fakt i konfirmuar publikisht nga drejtori sportiv i klubit, Gianluca Petrachi.
Asllani nuk ishte i grumbulluar për sfidën kundër Romës, një mungesë që ka forcuar zërat për një transferim të afërt.
Përpara ndeshjes, në një prononcim për “Sport Mediaset”, Petrachi foli hapur për situatën në skuadër dhe për nevojën e ndryshimeve.
“Asllani, Sazonov dhe Nkunku janë djem që janë në merkato, është mjaft e qartë. Kemi vendosur një vijë në dhomën e zhveshjes. E dimë çfarë duhet të bëjmë. Jemi 32 lojtarë dhe dikush duhet të largohet që dikush tjetër të vijë. Pozicionet që duhet të përforcojmë i kemi të qarta dhe po punoj për këtë”, u shpreh Petrachi.
Deklarata e drejtuesit të Torinos e bën të qartë se largimi i Asllanit është tashmë vetëm çështje kohe, ndërsa pritet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për mesfushorin shqiptar në këtë merkato dimri.
