Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen për protestat masive në Iran kundër regjimit teokratik të ajetullahëve.
Ai thekson se kryengritja po përballet me dhunë të rëndë shtetërore dhe dhjetëra viktima, duke dënuar ashpër represionin e autoriteteve iraniane.
Berisha shprehu gjithashtu solidaritetin me popullin iranian në përpjekjen për liri dhe demokraci.
“Prej dy javësh në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit, populli iranian është ngritur në protesta të fuqishme kundër regjimit obskurantist të ajetullahëve. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, opozita më e fuqishme e popullit iranian që lufton prej dekadash për një Iran të lirë dhe demokratik, po udhëheq këtë kryengritje të fuqishme”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur te situata në Iran, Berisha theksoi se “në disa qytete të vendit pushteti është në duart e kryengritësve”.
“Ajetullahët kanë marrë mercenarë nga vende të tjera. Garda Islamike dhe mercenarët kanë hapur zjarr kundër protestuesve dhe deri sot janë mbi 44 martirë të rënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit të tyre. Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar ajetullahët: ‘“Mos qëlloni, se do t’ju qëllojmë””, u shpreh Berisha.
