Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot për situatën e përmbytjeve në vend, ndërsa u shpreh se “natyra nuk mund të jetë më alibi, kur qeveria ka buxhetuar më pak se 1% të buxhetit për kanalizime dhe ujitje.
Sipas Tabakut, “fondi për Emergjencat Civile është më i vogël se sa tri kontrata inceneratorësh.
“Shqiptarët, çdo vit, në verë dhe në dimër, dëgjojnë të njëjtën kasetë: ‘natyra e pabesë’. Shqipëria ose shkrumbohet, ose përmbytet. Një shtet i përgjegjshëm nuk është ai që shfaqet pasi bie zjarri apo vërshon uji për të bërë ‘adetin’”, u shpreh Tabaku.
Duke iu referuar të dhënave të Emergjencave Civile, Tabaku theksoi se “dëmet ekonomike nga fatkeqësitë kapin vlerën e 2 miliardë dollarëve”.
“Ndërkohë, qeveria në katër vite ka dhënë vetëm 140 milionë euro për emergjenca. Paratë nuk shkojnë për kanale e kolektorë, por për fantazma luksi që nuk i interesojnë askujt përveç cirkut qeveritar. Skenat me qeveritarë që zbresin në terren me çizme llastiku pasi gjithçka është shkatërruar, nuk janë arritje. Janë dëshmi dështimi. Nuk është sukses të shkosh aty ku nuk mban më uji”, u shpreh ajo.
Tabaku theksoi se sot janë mijëra hektarë tokë, prona dhe jetë të shkatërruara. “Nesër do të jenë sërish. Sepse ky sistem punon për pakicën, dhe faturën e paguan shumica: me xhepin, pronën dhe të ardhmen e saj”, shtoi ajo.
