Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Brands 2”, duke zbuluar në Kamëz një magazinë ku stampoheshin veshje dhe këpucë të kontrabanduara me logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua shtetasi turk Ozgan Sulun, 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç, ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 3 punonjëse të magazinës, shtetaset L. M., Sh. M. dhe Sh. B.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë konstatuan sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh që dyshohet se kishin shmangur detyrimet doganore, si dhe makineri lazeri, printimi dhe stampimi, stampa dhe logo të markave të njohura ndërkombëtare. Po ashtu, u sekuestruan 1 celular dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Hetimi po zhvillohet për veprat penale: “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
