Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, sot 5 janar, në kuadër të masës së sigurisë ndaj tij për dosjen “Partizani”. Ai ka firmosur detyrimin e paraqitjes, ndërkohë që nuk mungoi edhe një fjalë për mediat.
Kryedemokrati u shpreh për mediat se ky vit ka për të sjellë fitore për opozitën, largimin e Ramës dhe votën e lirë për shqiptarët.
“Të gjitha format e protestave janë të mundshme ne e kemi betejë vendimtare këtë. Protestat janë protesta, kryengritje, revolta, por paqësore”, tha Berisha.
Ai vijoi të akuzojë kryeministrin Edi Rama se njësoj si Maduro, nuk zhvillon zgjedhje të lira.
“Është populli shqiptar, është opozita shqiptare e cila do i japë Ramës ndëshkimin e merituar. Shqiptarët do shkojnë me të gjitha mënyrat absolutisht që duhet të trajtohen armiqtë e lirisë dhe të votës së shqiptarëve. Unë kam përshëndetur arrestimin e Maduros dhe ndëshkimin e tij si një fitore për njerëzit e lirë në Shqipëri dhe botë, por nuk kam deklaruar ndonjëherë që Forcat Delta do të vijnë të arrestojnë. Në aferën Mcgonigal Edi Rama është po aq kriminal sa McGonigal. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.
Berisha i la sërish një letër agjentëve të BKH-së ku në fokus kishte përsëri Altin Dumanin edhe pse ai nuk është më kreu i ri i SPAK
“Së pari njëherë të gjithë atyre që na ndjekin, u uroj gëzuar Vitin e Ri 2026. Një vit me më të mirat për ata dhe më të dashurit e tyre. Këtu në Skap lashë këtë shënim: Altin Troplinit, Pajës së Skapit (i mbeti atij, nuk ia vura unë, që kur e fali atë Elvis Doçin, ai mbeti Paja i Skapit) armikut të pluralizmit politik dhe avokatit të McGonigalit, me garanci se krimet e tij nuk do mbeten pa ndëshkimin e merituar ligjor. Sali Berisha”, tha kryedemokrati.
Por çfarë qëndrimi do të mbajë opozita dhe ai vetë me kreun e ri të SPAK-ut, Klodian Braho?
“Nuk do kërkojmë asgjë tjetër veçse zbatimit të ligjit. Altin Troplini instaloi në mënyrën më kriminale praktikën staliniste të arrestimeve pa provave dhe krijimit të provave pas arrestimeve. Kjo është faqja e zezë që ai hapi në këtë institucion për të cilën do bëhet përgjegjës. Drejtuesi i ri, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin ka dhe do ketë mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare”, tha Berisha.
Fundi i fjalës së Berishës u mbyll me humor, teksa gazetarët i evidentuan se në një moment i ra leku i bakllavasë në trotuar.
“Fat i madh”, u përgjigj Berisha duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.
Kujtojmë se Berisha paraqitet prej një viti në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë së vendosur ndaj tij.
