Në kuadër të kontrolleve për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë sekuestruar 179 copë fishekzjarre.
Kontrolli u ushtrua në një subjekt tregtar me aktivitet ushqimor në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, ku u konstatua se lëndët piroteknike mbaheshin për tregtim në shkelje të ligjit.
Si pasojë, pronarja e subjektit, shtetasja D. K., 31 vjeçe, banues në Vlorë, është proceduar penalistisht. Lëndët piroteknike janë sekuestruar si provë materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia njofton se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë festave të fundvitit.
