Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm segmentin rrugor Boboshticë-Dardhë, në Korçë.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se “për shkak të temperaturave të ulëta në të gdhirë të ditës së sotme ky aks rrugor u mbulua nga dëbora. Prej mëngjesit kontraktori po punon për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës”.
Sipas tij, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura dhe qarkullimi rrugor zhvillohet normalisht.
“Stafi i Drejtorisë Qendër-Lindje i Autoritetit Rrugor Shqiptar po i monitoron ato për të siguruar çdo ndërhyrje aty ku është e nevojshme”, tha Jole.
Jole theksoi se “nga komunikimet me strukturat vendore të Emergjencave Civile, nuk raportohen situata emergjente në territorin e qarkut Korçë. Prurjet e lumenjve dhe përrenjve paraqiten brenda kuotave normale”.
“Nga OSHEE bëhet me dije se fideri Vithkuq, NST Rehovë, është pa energji elektrike, duke prekur 205 abonentë ruralë në zonën e Lekasit (13 kabina). Po ndiqet situata nga strukturat përkatëse”, tha Jole.
Autoritetet Rrugore u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, të ulin shpejtësinë e të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, kur udhëtojnë në zonat me prani dëbore.
