Sot, më 22 dhjetor, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet seanca paraprake lidhur me çështjen penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku do të shqyrtohet nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim të plotë.
Seanca e kaluar ndaj ish-presidentit Ilir Meta u shty, pasi avokatet mbrojtëse, Flurtura Kona dhe Esmeralda Ndregjoni, nuk u paraqitën për të përfaqësuar të pandehurën Fatime Kryemadhi. Në seancën e mëparshme, i pranishëm ishte edhe vetë Meta, i cili kërkoi të njihej me materialet hetimore. Pas këtij kërkimi, GJKKO urdhëroi SPAK-un që t’i vendosë në dispozicion ish-kreut të shtetit një pjesë të akteve të dosjes.
Sjellim ndërmend se Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet më 28 korrik, ndërsa në fund të muajit gusht dosja u dërgua për gjykim. Çështja përfshin tre hetime të bashkuara në një procedim të vetëm, konkretisht aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive. Vendimi që pritet të merret nga GJKKO do të jetë përcaktues për vijimin e procesit, duke sqaruar nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
