Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka bërë thirrje që vendet e NATO-s të shpenzojnë më shumë se 1 miliard dollarë në muaj për furnizimet e armëve amerikane për Ukrainën në vitin 2026.
“Paratë do të përdoren për të blerë pajisje thelbësore të prodhuara në SHBA, siç janë interceptorët për sistemet e mbrojtjes ajrore”, tha sot Rutte, ndërsa mbërriti në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Bruksel.
Kjo skemë financimi, Lista e Kërkesave të Prioriteteve për Ukrainën (PURL), parashikon që municionet dhe armët e prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’u shiten aleatëve evropianë të Ukrainës dhe Kanadasë, të cilët më pas do t’i vënë ato në dispozicion për Ukrainën.
Iniciativa e financimit u lançua këtë vit në përgjigje të kërkesës së presidentit te SHBA-së, Donald Trump, i cili u kërkoi aleatëve të tjerë të NATO-s të paguanin për ndihmën e mëtejshme ushtarake amerikane.
Rutte tha se qëllimi i iniciativës për të mbledhur rreth 1 miliard dollarë në muaj – ishte në rrugën e duhur këtë vit, duke shtuar se priste njoftime shtesë nga vendet e NATO-s.
