Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar protokollin e negociatave të reja për bashkëpunimin zhvillimor.
Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se, “Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm i Shqipërisë”.
Në një postim në rrjetet sociale ministrja Ibrahimaj tha se, fokusi i bashkëpunimit me Gjermaninë është përmirësimi i ofertës së tregut të kualifikuar të punës; Përmirësimi i konkurrencës së bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme; Rritja e kapacitetit të tyre për të krijuar vende pune; Digjitalizimi dhe ekonomia e gjelbër.
Ibrahimaj falënderoi Heike Backofen-Warnecke, Drejtore e Divizionit për Evropën Juglindore dhe Lindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf për ofrimin e mbështetjes teknike dhe financiare me qëllim thellimin e proceseve transformuese institucionale dhe sociale të Shqipërisë, në kuadër të integrimit evropian.
