Veliajj 1024x589

Seanca e radhës paraprake për dosjen penale ku kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe bashkëpunëtorë të tyre janë të pandehur, u zhvillua këtë të martë, 2 dhjetor 2025, në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO). Në këtë seancë, gjykata pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo.

Në sallë ishte i pranishëm vetë Veliaj, ndërsa prokurorinë e përfaqësoi Ols Dado. Kryebashkiaku ka ngritur shqetësime për mënyrën e trajtimit të tij në sallë, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Seanca u shty për më 5 dhjetor, pasi gjykata pranoi kërkesën e Veliajt për t’u njohur me aktet e dosjes. Ai kishte kërkuar më parë që t’i vihej në dispozicion një kopje fizike e dosjes, duke argumentuar se nuk mund të përdorte USB-në e dhënë avokatëve, për shkak të rregullave të paraburgimit.

Veliaj ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt dhe përballet me akuza si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Veliaj të vazhdojë të ushrojë detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, duke rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin nga detyra. Më 27 nëntor, Veliaj i është drejtuar sërish Kushtetueses për shfuqizimin e vendimeve të gjykatave, për masën e arrestit me burg.

Gjatë seancës, Veliaj mbajti një fjalë të gjatë para gjykatës, ku kërkoi heqjen e mbajtjes në kafaz, njohjen e plotë me dosjen dhe shtyrjen e procedurës, derisa këto të drejta të garantohen.

Fjala e plotë e Veliajt:
“E nderuara zonja Gjyqtare,
Është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore.
Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës, e aq më pak ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.

Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur ti ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para Jush dhe më ka vendosur në izolim.

Fakti që është dashur një kohë kaq e gjatë për të më vënë në dispozicion një dosje që është bërë jo vetëm shkak i heqjes së lirisë sime, por edhe i largimit faktik nga ushtrimi i funksioneve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po kthehet në një absurd tragjikomik. Dhe këtë e them me shumë keqardhje dhe me respekt të plotë për këtë gjykatë: vonesa dhe pengesat e vazhdueshme krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes, si dhe të trajtimit të të drejtave të mia kushtetuese jo si detyrime solemne të shtetit, por si pengesa që duhen anashkaluar në funksion të një procesi, që duket sikur kërkohet të zhvillohet shpejt, të mbyllet shpejt dhe të dëgjohet sa më pak.

Fakti që mua personalisht, nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri tek Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur. Në këto kushte, është e qartë se procesi rrezikon të humbasë karakterin e tij gjyqësor dhe të kthehet në një procedurë formale ku volumi i akteve zëvendëson dijeninë, ndërsa mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.

Ndaj, znj. Gjyqtare, jam para jush sot për të paraqitur dy kërkesa themelore, kërkesa të cilat nuk burojnë nga statusi im publik, por nga atributi im më i thjeshtë dhe më i rëndësishëm: ai i qytetarit të Republikës së Shqipërisë. Nëse këto kërkesa nuk pranohen, atëherë faktikisht po më përjashtoni nga ky proces gjyqësor, një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal.

Por, nëse nuk më bëhen të ditura të gjitha aspektet e tij, nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet evropiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar “derën” në mënyrë më cinike të mundshme. Në atë moment, gjykata e ka konsideruar prezencën time dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale.

I. Kërkesa për respektimin e dinjitetit, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive

Znj. Gjyqtare, qëndrimi im prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën një shkelje të qartë dhe të vazhdueshme të:

• dinjitetit tim njerëzor,
• prezumimit të pafajësisë,
• të drejtës sime për mbrojtje efektive,
• dhe të vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës.

Ky pozicionim fizik, i pazakontë për një vend që aspiron standarde evropiane, transmeton automatikisht një imazh kriminalizues, krijon idenë se jam një person “i rrezikshëm”, dhe ushqen, qoftë edhe pavetëdijshëm, paragjykime të brendshme brenda vetë trupës gjykuese. Dua të jem shumë i qartë: Këto nuk janë ankesa personale. Këto janë standarde të sanksionuara ndërkombëtarisht, të cilat çdo gjykatë e një shteti anëtar të Këshillit të Evropës është e detyruar t’i respektojë.

Dua ta them qartë: drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze, nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese dhe nuk ndërtohet duke shkelur të drejtën themelore të mbrojtjes. Unë pres drejtësi me standarte evropiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi.

E nderuara gjykatë, me besimin e plotë për përmbushjen e një procesi të rregullt ligjor kërkoj vendimmarrjen tuaj për këto kërkesa.”

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights