Prokurori i Përgjthshëm, Olsian Çela dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të këtyre prokurorive kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Belgjikë në datat 18–19 nëntor, ku u takuan me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës, Ann Fransen.
Në delegacion morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të të dy institucioneve.
Takimi u organizua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve dhe si vijim i takimeve të zhvilluara një vit më parë në Tiranë.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan shumë pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizuan rëndësinë për zgjerimin e mëtejshëm të tij përmes shkëmbimit më të gjerë të informacioneve, me qëllim hetimin e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet.
Gjatë bisedimeve u diskutua gjithashtu për nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rritjes së efikasitetit në zbatimin e legjislacionit antimafia, duke synuar rritjen e kapaciteteve për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale të subjekteve të hetuara ose të dënuara në Shqipëri dhe Belgjikë.
