Partia Demokratike do të zhvillojë protestë këtë të hënë, 17 nëntor, para Kryeministrisë, nga ora 18:00 deri në orën 20:00.
Për tubimin ka një njoftim edhe nga Policia e Tiranës, e cila ka vendosur bllokime dhe devijime të trafikut në disa akse kryesore.
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në: bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”), rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia njofton se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë bllokime edhe në rrugë të tjera. Qytetarët këshillohen të shmangin qendrën e Tiranës dhe të përdorin rrugë alternative për të mos penguar lëvizjen e pjesëmarrësve në tubim.
Kujtojmë se kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar më herët nisjen e analizës dhe turit të dëgjesave me qytetarët. “Analiza do fillojë menjëherë dhe turi im do fillojë menjëherë“.
Sipas tij, para godinës së Kryeministrisë, do të ngrihet një platformë parlamentaro-qytetare, duke e cilësuar “betejë pa kthim”.
Kjo platformë do të aktivizohet një herë në javë.
